Mexhiti: Afro 3 miliardë euro investime në komunat shqiptare për vetëm 24 muaj

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë një bilanc të dy viteve të para të qeverisjes së koalicionit VLEN, duke e krahasuar atë me 24 vitet e mëparshme të qeverisjes së BDI-së.

Në një postim në rrjetet sociale, Mexhiti tha se vetëm për 24 muaj është dëshmuar se shteti mund të qeveriset ndryshe.

banner

“Vetëm 24 muaj. Aq na u desh për të dëshmuar se shteti mund të qeveriset ndryshe. Për 24 vjet u ndërtuan privilegje. Për 24 muaj ne ndërtuam institucione”, shkroi ai.

Sipas Mexhitit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar investime prej afro 3 miliardë eurosh në komunat shqiptare, janë miratuar ose proceduar ligje të rëndësishme dhe janë ndërmarrë reforma në arsim, administratë dhe infrastrukturë.

Ai përmendi miratimin e Ligjit për Medresenë, procedimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, përgatitjen e Ligjit për Lojërat e Fatit, si dhe Pakon e Ligjeve për Arsimin e Lartë.

Mexhiti theksoi gjithashtu se për herë të parë studentët e juridikut do ta japin provimin profesional në gjuhën shqipe, ndërsa mbi 40 provime profesionale dhe licenca do të zhvillohen gjithashtu në shqip.

Në postimin e tij, ai renditi edhe nisjen e ndërtimit të Kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, vazhdimin e fazës së tretë të Sheshit “Skënderbeu”, rindërtimin e Spitalit të Tetovës, punimet në autostradën Shkup–Bllacë dhe avancimin e Korridorit 8.

Mexhiti tha se gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 2.500 punësime dhe avancime, ndërsa më shumë se 4.500 qytetarë janë punësuar përmes masave të vetëpunësimit, prej tyre 1.663 shqiptarë.

Në fund, ai e përmblodhi krahasimin me qeverisjet e mëparshme me mesazhin: “Ata patën 24 vjet për t’i arsyetuar dështimet e tyre. Ne patëm vetëm 24 muaj për t’i demantuar ato. Sepse 24 muaj punë vlejnë më shumë se 24 vjet premtime.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.