Krasniqi i reagon Daut Haradinajt për fjalimin e Konjufcës: Prisnit fjalim me sharki e kallash, politikë që i vjen era Radojçiqit

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i ka reaguar ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, pas kritikave të këtij të fundit ndaj ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, për paraqitjen e tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Krasniqi ka ironizuar me pritjet që, sipas tij, Haradinaj dhe kundërshtarët e pushtetit kishin për paraqitjen e Konjufcës, ndërsa e ka vlerësuar lart përfaqësimin e Kosovës në OKB.

“Kanë pritë që me mbajtë një fjalim të ‘zjarrtë’ e pa përmbajtje, nën tingujt e sharkisë dhe gjuajtjeve me kallash dhe e përcjellë me selfie. E pastaj bashkë me Timën me t’ia krisë valles midis OKB-së”, ka shkruar Krasniqi.

“PO diplomaci me përfaqësim të dinjitetshëm – JO politikë tallava e që i vjen era Radojçiq. Të lumtë, Glauk!”, ka shtuar ai.

Reagimi i Krasniqit erdhi pasi Daut Haradinaj e akuzoi Konjufcën se nuk e kishte paraqitur siç duhet të vërtetën për luftën e Kosovës dhe sakrificën e popullit shqiptar.

“Një Kosovë e poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam prit. Bota po na sheh çuditshëm, sikur na kemi vra e pre popuj, pa e thënë të vërtetën për luftën dhe gjakderdhjen tonë për liri”, ka shkruar Haradinaj.

“Marre, Glauk! Kurrë s’kemi me u ndalë deri te e vërteta jonë, o të pafytyrë! PDK, a jeni kund…?”, ka shtuar ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.