
Dje Kolegjiumi i Degëve të LDK-së ofroi mbështetjen për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se zgjedhjet e radhës do të mbahen në vitin 2027. Madje, nga 39 degët e LDK-së nëpër Kosovë, 34 ishin në favor të vazhdimit me Abdixhikun.
Madje, një zhvillim interesant ka ndodhur edhe në degën e LDK-së në Prizren, që udhëhiqet nga Driton Selmanaj, i cili nuk kandidoi për deputet në zgjedhjet e fundit dhe dështoi të zgjidhej deputet më 28 dhjetor dhe humbi garën për të parin e Prizrenit vitin e kaluar.
Duke cituar burimet e saj, Ekonomia Online ka raportuar se Dega e Prizrenit ka refuzuar propozimin e Selmanajt për të kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, shkruan Gazeta Politika.
Çka raportoi Ekonomia Online?
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Driton Selmanaj, në mbledhjen e degës së LDK-së në këtë komunë, ka kërkuar që kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, të japë dorëheqje.
Një kërkesë e tillë sipas burimeve të Ekonomia Online, bëhet e ditur se është refuzuar nga dega e LDK-së në Prizren.Ndërkaq, sot LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë dhe të Kolegjiumit. Sipas njoftimit zyrtar të partisë, shumica e kryetarëve të degëve kanë mbështetur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë në krye të LDK-së.
Çka tha Kolegjiumi i Degëve, që në shumicë dërmuese përkrahu Abdixhikun?
Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe Kryesinë e partisë, duke bërë thirrje për unitet dhe respektim të vendimmarrjes statutare.
Në deklaratën e miratuar pas mbledhjes së sotme në selinë qendrore të LDK-së, Kolegjiumi shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve, gjendjen institucionale dhe angazhimin e partisë në periudhën paszgjedhore.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË E KOLEGJIUMIT TË DEGËVE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur sot në selinë qendrore të LDK-së, shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.
Pas diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve:
- Vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së.
- Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit.
- Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar.
- Rithekson se çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.
- Fton të gjitha strukturat, anëtarët dhe funksionarët e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta përqendrojnë në forcimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ruajtjen e unitetit të saj dhe në përmbushjen e përgjegjësive që kemi ndaj qytetarëve dhe Republikës.
Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.



