
Nga e mërkura, 1 korrik, paga minimale në Kosovë do të rritet në 500 euro bruto, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se do të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi, duke pranuar se sfidat më të mëdha priten në sektorin e pastrimit dhe atë të sigurisë fizike, ku ekzistojnë shqetësime për respektimin e pagës minimale, shkruan KOHA.
Nga ana tjetër, Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka shprehur skepticizëm se të gjitha kompanitë që kanë kontrata me institucionet shtetërore do ta zbatojnë vendimin.
Sipas sindikatës, ekziston rreziku që disa kompani të mos e respektojnë nivelin e ri të pagës minimale, pavarësisht obligimeve ligjore.
Rritja e pagës minimale në 500 euro bruto hyn në fuqi më 1 korrik dhe pritet të prekë mijëra punëtorë në sektorin privat në Kosovë.



