
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke theksuar rolin historik të këtij shteti në mbështetjen e të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve.
Kurti ka thënë se Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 kishte rëndësi jo vetëm si një ngjarje historike, por edhe për vlerat universale që përfaqëson, si barazia, liria dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut.
Kurti përmendi edhe mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, duke veçuar deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007 për Kosovën.
“10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese”, shkroi Kurti.
Sipas Kurtit, brenda afro një shekulli, shqiptarët kanë marrë dy herë mbështetje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara në proceset e tyre shtetformuese, fillimisht për ruajtjen e shtetit shqiptar dhe më pas për pavarësinë e Kosovës./KOHA



