Lëvizje në LDK, nisin mbledhjet e nënshkrimeve kundër Abdixhikut – nuk arrihen as 118 nënshkrime të nevojshme

Një grup delegatësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit të partisë, me synimin që në rend dite të vendoset kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Sipas raportimit të KOHËS, deri më tani nisma nuk ka arritur t’i sigurojë 118 nënshkrimet e nevojshme nga gjithsej 355 delegatë të Kuvendit të LDK-së.

banner

Nisma vjen pas pakënaqësive të shprehura për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit. Javën e kaluar, disa degë të LDK-së dhe deputetja e zgjedhur Hykmete Bajrami kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut.

Megjithatë, vetëm një javë më parë, Kolegjiumi i Degëve të LDK-së i dha mbështetje të plotë Lumir Abdixhikut dhe Kryesisë së partisë. Në deklaratën e miratuar pas mbledhjes, Kolegjiumi rikonfirmoi mbështetjen për kryetarin në ushtrimin e përgjegjësive politike dhe statutore, si dhe bëri thirrje për ruajtjen e unitetit të partisë.

Po ashtu, Kolegjiumi theksoi se zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me Statutin e partisë.

Nga ana tjetër, Abdixhiku nuk ka komentuar publikisht nismën për mbledhjen e nënshkrimeve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.