
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) synon të jetë plotësisht e gatshme për mbrojtjen e territorit të vendit në vitin 2029.
Ai tha se plani dhjetëvjeçar i tranzicionit të FSK-së përfundon në vitin 2028 dhe se objektivat e përcaktuara në fushën e pajisjeve dhe armatimit tashmë janë tejkaluar.

“Ne planifikojmë që në vitin 2029 të kemi një forcë të gatshme për të mbrojtur territorin”, deklaroi Maqedonci.
Sipas tij, përveç mbrojtjes së territorit, FSK-ja do të vazhdojë të mbështesë autoritetet civile dhe të kontribuojë në misione ndërkombëtare, në përputhje me mandatin e saj.



