
Gjykata Supreme i ka hapur rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura ndaj rezultateve përfundimtare.
Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar për të mërkurën, në orën 11:00, mbledhjen në të cilën pritet të certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Supremja ka lënë në fuqi vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke rrëzuar ankesat e Listës Serbe, Nova Demokratska Stranka dhe të kandidatëve të PDK-së për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.
Gjykata ka vlerësuar se nuk janë paraqitur prova që dëshmojnë manipulime zgjedhore dhe ka theksuar se e drejta e votës është individuale, e lirë dhe e fshehtë, ndërsa përkatësia etnike nuk mund të përdoret si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit.
Po ashtu, Supremja refuzoi kërkesat për rinumërim të përgjithshëm të votave preferenciale të PDK-së, duke konstatuar se dallimet e evidentuara lidhen kryesisht me gabime njerëzore gjatë numërimit dhe rikategorizimin e fletëvotimeve.
Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja përmbyllet procesi zgjedhor, ndërsa nga ajo ditë fillon të rrjedhë afati 30-ditor për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.



