
Disa zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut pretendojnë se u është ndaluar hyrja në Shqipëri.
Bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani.

Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur sot në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri me pasaporta diplomatike. Ata thonë se janë mbajtur për rreth një orë pa marrë asnjë sqarim nga autoritetet kufitare.
Pas pritjes, sipas deklarimeve të tyre, policia kufitare u ka bërë me dije se tre prej tyre mund të vazhdonin udhëtimin, ndërsa personi i katërt që ishte me ta nuk lejohej të hynte në Shqipëri. Në shenjë revolte, ata kanë vendosur të kthehen, ndërsa më pas pretendojnë se janë njoftuar se kanë ndalesë hyrjeje në territorin shqiptar.
Sipas burimeve, kjo masë dyshohet të lidhet me përfshirjen e tyre në organizimin e protestave në Tiranë, përkatësisht me angazhimin në të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”.
“Revolucioni Flamingo” është një lëvizje qytetare në Shqipëri që nisi në fund të majit 2026 si protestë kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës, Zvërnecit dhe projekteve zhvillimore në Ishullin e Sazanit, për t’u shndërruar më pas në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.



