
Analisti Mirlind Behluli ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk e ka rikuperuar besimin e elektoratit pas koalicionit me PDK-në në vitin 2014.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Behluli tha se deri në vitin 2014 LDK-ja shihej si opozita kryesore në Kosovë, por sipas tij, koalicioni me PDK-në dhe zgjedhja e Hashim Thaçit president e përçanë partinë dhe i kushtuan rëndë politikisht.

Sipas tij, pas këtyre zhvillimeve Isa Mustafa u delegjitimua politikisht dhe nuk kandidoi më për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2017, ndërsa Avdullah Hoti e udhëhoqi LDK-në drejt vendit të tretë.
Behluli theksoi se në zgjedhjet e vitit 2019, LDK-ja me Vjosa Osmanin u rikthye në vendin e dytë dhe për pak sa nuk fitoi zgjedhjet, por më pas, sipas tij, përjashtimi i Osmanit nga partia dhe themelimi i GUXO-s larguan mijëra votues tradicionalë të LDK-së drejt koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Edhe pas 6 viteve, LDK vuan nga keqmenaxhimi i Mustafës e Hotit. As rikthimi i Osmanit nuk kreu punë kësaj here. Edhe sot LDK nuk e ka fituar besimin e elektoratit shkaku i rrenave politike të viteve 2014–2019”, ka shkruar Behluli.



