Mexhiti: 6.2 milionë euro investim për rregullimin e Lumit të Thatë në Saraj

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit, projekt që kap vlerën prej 6.2 milionë eurosh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti tha se bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme për këtë komunë, i cili do t’i japë zgjidhje një problemi shumëvjeçar.

banner

“Sot, bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin Muhamet Hoxha dhe kryetarin Muhamet Elmazi pamë nga afër nisjen e punimeve për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë, një nga projektet më të rëndësishme për Sarajin”, ka shkruar ai.

Sipas Mexhitit, projekti përfshin rregullimin e shtratit të lumit në afro 12 kilometra, nga Bojana deri në Gllumovë, ndërsa punimet do të realizohen në faza deri në vitin 2029.

Ai theksoi se investimi do të mbrojë qytetarët, shtëpitë, tokat bujqësore dhe infrastrukturën nga përmbytjet, duke i dhënë fund një problemi që, sipas tij, për vite me radhë kishte mbetur vetëm premtim.

“Ky është standardi i qeverisjes sonë: më shumë projekte, më shumë investime, më pak justifikime. Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për premtime. Kanë nevojë për rezultate”, ka deklaruar Mexhiti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.