
Familja e Gjyljeta Ukellës ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme për t’ia ulur dënimin Edmond Lajçit nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg, duke bërë të ditur se nuk beson më në drejtësinë institucionale.
Në një deklaratë për Gazetën Politika, familja Ukella tha se, si shenjë revolte ndaj vendimit, do të bojkotojë çdo seancë gjyqësore që lidhet me këtë rast.

“Ne nuk besojmë më në drejtësi institucionale. Nga tani do ta sabotojmë çdo seancë gjyqësore. Drejtësia për Gjyljetën do të arrihet, sepse ne nuk pajtohemi që vrasja e saj të kalojë pa dënimin meritor,” thuhet në reagimin e familjes.
Reagimi vjen pasi Gjykata Supreme vendosi të ndryshojë aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, të cilat e kishin dënuar Edmond Lajçin me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas Supremes, gjykatat e instancave më të ulëta nuk e kanë zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e burgimit të përjetshëm.
Gjykata arsyetoi se një pjesë e rrethanave të konsideruara si veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa të tjera përbëjnë elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoren për të justifikuar dënimin më të rëndë të paraparë me ligj.
Edmond Lajçi ishte shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella, më 16 prill 2024 në Pejë. Sipas aktakuzës, ai e kishte qëlluar me armë zjarri në kokë, pas një historie të dhunës psikologjike dhe fizike ndaj viktimës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.



