Konjufca i kërkon BE-së: Dënojini publikisht deklaratat fashiste të Paunoviqit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke kërkuar reagim në nivelin më të lartë të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila bëri thirrje për spastrim etnik në Kosovë.

Në letër, Konjufca kërkon që Bashkimi Evropian ta dënojë qartë dhe publikisht deklaratën e Paunoviqit, ta bëjë të qartë se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë çështjen seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE.

banner

“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon dhe pret nga BE-ja që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës, së cilit i është bashkëngjitur edhe letra drejtuar Kallasit.

Deklarata e ministres serbe ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare. Edhe Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, e cila deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. Megjithatë, Konjufca kërkon një qëndrim politik edhe nga udhëheqja e BE-së.

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq kishte deklaruar në televizionin Kurir TV se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Pas reagimeve, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se deklarata e Paunoviqit nuk përfaqëson politikën zyrtare të presidencës apo të Qeverisë së Serbisë, duke shtuar se politika e Serbisë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e jo në spastrim etnik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.