
Për Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani nuk është kandidate konsensuale për presidenten e ardhshme të vendit.
Kështu ka deklaruar për Radio Dukagjinin, deputetja e zgjedhur e LVV-së, Arbërie Nagavci e cila është e bindur se Kosova ka kandidat të cilit do të ishin të denjët për këët pozitë.

“Është e qartë se çka nënkupton për një kandidat, kandidate konsensuale. Pra është diçka që duhet të jetë një person që nuk vjen nga skena aktuale politike. Ndërkohë, ne kemi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit qytetarët e thanë fjalën e tyre për të gjithë kandidatët që morën pjesë në zgjedhje. Dhe unë mendoj se është mirë që të respektohet edhe vullneti I qytetarëve krahas përgjegjësive që neve na kanë besuar në zgjedhjet e fundit. Por, njëkohësisht konsideroj që zhvillimet e fundit që kanë ndodhur janë tregues që nuk ka një unitet në raport me kandidatin apo kandidaten konsensuale në këtë rast me zonjën Osmani. Kështu që konsideroj se ka akoma kohë edhe vend për diskutime në mënyrë që vendi t’i ofrohet një president, presidente konsensuale e krahas kohës edhe mundësisë unë jam e bindur se Kosova ka kandidat të cilët do të ishin të denjët për këtë pozitë të rëndësishme institucionale”, u shpreh Nagavci.



