Rrënohen 11 vila pa leje te Ujmani, dy prej tyre në pronësi të nënkryetarit të Listës Serbe dhe vëllait të tij

Një aksion i përbashkët i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, me asistimin e Policisë së Kosovës, ka rezultuar me rrënimin e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në afërsi të liqenit të Ujmanit, në Zonën Kadastrale “Bregu i Madh”, në komunën e Zubin Potokut.

Sipas autoriteteve, të gjitha objektet ishin ndërtuar në parcelat që janë pronë e “Ibër-Lepencit”. Gjatë aksionit, pronarët fillimisht larguan orenditë nga shtëpitë, për t’i hapur rrugë makinerive të rënda që më pas nisën rrënimin e objekteve.

banner

Në terren, përveç Policisë së Kosovës, u panë edhe pjesëtarë të KFOR-it, të cilët vizituan zonën para fillimit të aksionit.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” bëri të ditur se pronarët ishin njoftuar 15 ditë më parë për lirimin e objekteve, por nuk e kishin respektuar afatin.

Sipas raportimeve, dy prej vilave i përkasin nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, dhe vëllait të tij, Sergej Simiq.

Një nga personat e prekur nga aksioni, Vukola Tomoviq, tha se kishte ndërtuar objektin me bindjen se kishte leje dhe se nuk kishte qenë në dijeni që toka i përkiste “Ibër-Lepencit”.

“Unë kam vetëm një dhomë dhe një banjo. Kur e kam ndërtuar kam marrë leje dhe nuk kam pasur njohuri se i përket Ibër-Lepencit. Nëse jam uzurpues i tri akreve tokë, atëherë le ta shembin. Unë do të qëndroj aty. Nuk kam ku të shkoj, kjo është e vetmja gjë që kam”, deklaroi ai, përcjell Tëvë1.

Nga “Ibër-Lepenci” theksuan se aksioni do të vazhdojë edhe në raste të tjera, me qëllim lirimin e pronave publike nga ndërtimet pa leje.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.