Abdixhiku: S’e duam kryeparlamentarin, por LDK duhet të ndihet e përfaqësuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk synon postin e kryetarit të Kuvendit, por kërkon të ndihet e përfaqësuar në një marrëveshje të mundshme për formimin e institucioneve.

Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se bisedimet janë zhvilluar në frymë të mirë dhe se do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

banner

“Me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultatit zgjedhor, por edhe të gatishmërisë sonë si LDK që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, besoj se kështu e respektojmë edhe interesin e Republikës. Ishte një takim i mirë, i mbarë, ku diskutuam çështje të ndryshme programore, politike të ardhme e strategjike”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila garanton balancë demokratike në institucionet e vendit.

“LDK duhet të ndihet e përfaqësuar. Në të kundërtën, edhe kontributi i LDK-së dhe konstelacioni politik i ndërtuar s’do të ketë as forcën e as fuqinë e nevojshme”, u shpreh ai.

Abdixhiku bëri të ditur se në këtë fazë nuk janë diskutuar emra konkretë për postet institucionale, pasi bisedimet janë ende në nivel parimesh.

“Nëse LDK arrin partneritet me palën tjetër, duhet të ndihet e përfaqësuar. Nuk kemi folur për emra konkretë, ende jemi duke diskutuar për parimet”, deklaroi ai.

Kryetari i LDK-së shtoi se partia e tij nuk ka interes për postin e kryeparlamentarit.

“LDK s’e ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, është post ceremonial. Sa më herët, më mirë nëse bëjmë zgjidhje”, tha Abdixhiku.

Ai paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.