Haradinaj: Posti i kryeministrit ose presidentit duhet t’i takojë opozitës

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë partie të drejtën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës.

Sipas Haradinajt, ose posti i kryeministrit ose i presidentit duhet t’i takojë opozitës.

banner

“Për ta thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve. Nëse ka logjikë regjimi e që në fakt kjo logjikë po ndodhë me Kurtin, ai nuk beson në ndarje të vendimmarrjes. Kurti po i kërkon të gjitha pozitat vendimmarrëse për vete. Po e poshtëron opozitën duke i ofruar vetëm pjesëmarrje në qeverisje”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai theksoi se opozita mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse është pjesë e vendimmarrjes.

“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj përsëriti se Aleanca nuk synon të hyjë në qeveri vetëm për poste.

“Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Opozita kishte mundur me e ndihmuar Kosovën duke u bërë pjesë e vendimmarrjes. Aleanca nuk synon pra në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po”, deklaroi Haradinaj për Ekonomia Online.

I pyetur për referencat ndaj kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, Haradinaj e vlerësoi punën e tij në krye të partisë dhe të Komunës së Gjakovës.

“Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ushtruar shumë funksione. Është kryetar shumë i suksesshëm i Komunës së Gjakovës edhe shihen zhvillimet në Gjakovë, po u tregua edhe kryetar i suksesshëm i partisë që udhëheq. Ka dëshmuar me rezultate, pra menjëherë kemi ngritje që është një situatë e re”, deklaroi Haradinaj.

Sipas Haradinajt, thelbi i çështjes mbetet mënyra se si interpretohet rezultati zgjedhor.

“Bëhet fjalë: a pranon, a e lexon rezultatin udhëheqësi i regjimit si bashkëvendimmarrje apo jo? Nëse nuk e pranon se rezultati është bashkëvendimmarrje, nuk ia ka dhënë qytetari i Kosovës votën për vendimmarrje si i vetëm, për të udhëhequr me të gjitha institucionet e vendit, për të pasur një kontroll absolut. Ia ka zbritur votën, është e vërtetë që përqindje ka, po ia ka zbritur qindra mijëra vota. Nëse ai nuk e lexon kështu, i bie që është e kotë edhe mbajtja e takimeve”, ka thënë Haradinaj.

Sikurse herën e kaluar, edhe ftesën e fundit të Kurtit për të gjitha partitë shqiptare parlamentare, e refuzoi Aleanca.

Në letrën që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ia ka kthyer Kurtit thuhet se Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve.

Aleanca ka vendosur gjashtë pika që besojnë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, dhe se nuk kanë marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.