Mimoza Kusari: Pas analizave të AUV-së, nga nesër nisin kontrolle intensive në të gjitha qumështoret dhe marketet

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se, duke filluar nga 6 gushti, do të nisë kontrolle intensive në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe tregtimit të qumështit dhe produkteve të qumështit.

Vendimi vjen pas gjetjeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat zbuluan raste të përdorimit të qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë të padeklaruar në etiketa.

banner

Sipas MINTI-t, përdorimi i përbërësve pa i deklaruar ose deklarimi i pasaktë i tyre përbën shkelje të legjislacionit dhe mashtrim të konsumatorit.

Kontrollet do të kryhen nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në bashkëpunim me AUV-në dhe do të përfshijnë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

Fokusi i inspektimeve do të jetë përputhshmëria ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë, deklarimi i qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë, saktësia e emërtimit të produkteve, dokumentacioni i lëndëve të para dhe gjurmueshmëria e tyre.

MINTI ka bërë të ditur se çdo produkt për të cilin konstatohet, përmes analizave laboratorike, se etiketa nuk përputhet me përmbajtjen reale, do të tërhiqet menjëherë nga tregu.

Ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të shqiptohen masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë gjoba, tërheqjen e produkteve dhe masa të tjera të parashikuara me ligj.

Ministria thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë dhe se institucionet do të zbatojnë tolerancë zero ndaj çdo deklarimi të rremë ose mashtrues në etiketimin e produkteve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.