LDK-ja i bën thirrje VV-së ta ftojë seancën e Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë sonte dhe procesi i konstituimit të përfundojë brenda afatit që, sipas saj, është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Përmes një deklarate për media, LDK-ja ka shprehur shqetësimin se moskonstituimi i Kuvendit brenda këtij afati mund ta vendosë vendin në një situatë të paqartë kushtetuese.

banner

“Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend”, thuhet në deklaratë.

LDK-ja thotë se gjatë gjithë procesit ka mbajtur qëndrim të njëjtë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas partisë, ky qëndrim është paraqitur në të gjitha takimet konsultative, përfshirë edhe takimin e zhvilluar sot nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Lidhja Demokratike e Kosovës rikujton se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe se respektimi i tyre i plotë është në interes të funksionimit demokratik të Republikës”, thuhet tutje.

LDK-ja i ka bërë thirrje subjektit të parë parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje, që të mundësojë vazhdimin e seancës sonte dhe përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.

“Prandaj, LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Sipas LDK-së, mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit për përmbushjen e obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Reagimi vjen pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin e saj për të shtunën, më 8 gusht, në orën 11:00.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.