
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së vlerëson se zgjedhja e Bashës në krye të Kuvendit tregon degradimin e institucionit nga VV dhe nuk e sheh dallim mes deklarimeve të Bashës dhe Kurtit kundër UÇK-së.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka pohuar se Basha është njeriu që përfaqëson më së miri Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kryetar i Kuvendit ka qenë Jakup Krasniqi, ka qenë Kadri Veseli, ka qenë Nexhat Daci, mirëpo këtë degradim në Kuvendin e Kosovës e ka sjellë Lëvizja Vetëvendosje,” tha Çitaku.
“Dimal Basha është zgjedhja e tyre, ai është përfaqësuesi më tipik i Lëvizjes Vetëvendosje,” shtoi ajo.
Çitaku gjithashtu tha se beson se mes kreut të VV-së, Albin Kurti, dhe kreut të Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka dallim sa i përket deklarimeve publike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Çka dallon ajo (punimi shkencor i Dimal Bashës kundër UÇK-së) nga deklaratat që i ka bërë Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit, ‘Hashim, shko në Hagë’?” pyeti ajo në Klan.



