
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese kritikoi ashpër kreun e BDI-së, duke e akuzuar për mungesë respekti ndaj sakrificës së dëshmorëve.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj prezencës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, në përurimin e obeliskut për heroin Afrim Zhitia në Llugë të Podujevës.
Në një shkrim të publikuar nga Kryeziu, ai tha se prania e Ahmetit në ceremoni të tilla është “arrogancë” dhe “fyerje” për familjet e dëshmorëve.
“Nuk e kuptova pse ky njeri shfaqet në ceremoni të tilla. Arroganca për të parakaluar përpara familjeve të dëshmorëve, ndërsa vetë nuk ka respektuar kurrë sakrificën e tyre, është fyerje”, shkroi Kryeziu.
Duke përmendur Beg Rizajn, Kryeziu tha se ky i fundit kishte luftuar për liri në tri luftëra, por sipas tij u “tradhtua dhe u la të pushkatohej si trofe lufte” në Kumanovë.
“Ku ishte atë ditë Ali Ahmeti? Çfarë bëri për ta ndihmuar? Asgjë. Nuk ka shkuar kurrë te varri i Begut, nuk ka vendosur një lule, nuk ka nderuar familjen e tij. Por del nëpër ceremoni, flet për heronj, sikur të mos mbante mbi supe barrën e një turpi”, ka theksuar ai.
Kryeziu theksoi se Ali Ahmeti i detyrohet Beg Rizajt një ndjesë publike.



