
Deputeti i PDK-së tha se lideri i VV-së për dy dekada ka krijuar një narracion të rrejshëm për dialogun, duke paraqitur Serbinë si përfituese.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për qasjen e tij në procesin e dialogut në Bruksel.
Në një reagim të publikuar në “Facebook”, Behrami tha se Kurti për dy dekada ka ndërtuar një narracion të rrejshëm, duke e paraqitur Serbinë si përfituesen kryesore të këtij procesi.
“Tash e dy dekada, Kurti e ka krijuar narracionin e rrejshëm që përfituesja më e madhe e dialogut është Serbia. Ai është i bindur se Serbia ka ‘përfituar’ në dialog duke qenë destruktive!”, ka shkruar Behrami.
Sipas tij, Kurti po ndjek një rrugë që e largon Kosovën nga partnerët ndërkombëtarë dhe po imiton sjelljen e Serbisë.
“Në këtë mënyrë Kurti e ka skicuar rrugën që do ta rrahë. Një rrugë pa aleatë, një rrugë ndryshe nga ajo që kemi ndjekur në dy dekadat e fundit, bashkërisht me aleatët tanë. Kurti sot imiton Serbinë dhe Vuçiqin. Ai me vetëdije sot po jetëson një doktrinë që fund e krye është doktrinë serbe!”, theksoi Behrami.



