
Kandidati për kryetar të Drenasit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e përçarjes dhe dezinformatave politike.
Ish-komandanti i UÇK-së dhe kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar një deklaratë ku kritikon kundërshtarët e tij politikë dhe i cilëson si të përqendruar në përçarje dhe mashtrime.
Ai theksoi arritjet e tij dhe të komunës, duke u shprehur se Drenasi është gjashtë herë “kampion i performancës” dhe qytetarët tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre për “kryetarin kampion”.
“Besnikët e Hashim Thaçit e Kadri Veselit janë besnikë të UÇK-së e PDK-së, por jo të ‘Dadës Razë’ e votimit symbyllur”, tha Lladrovci. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e shpifjeve, përçarjes dhe dezinformimit.
Lladrovci u kërkoi gjithashtu liderëve të partive që ta lënë Drenasin jashtë përplasjeve politike dhe të fokusohen në komunat e tjera dhe kryeqytetin. “Fitoren tonë nuk mund ta ndalë askush. Nga lisi që e kanë përpara, disa nuk po e shohin malin”, përfundoi ai.
Postimi i plotë:
Prej lisit, nuk po e shohin malin!
Qytetarëve të mirë, atdhetarëve të devotshëm e punëtorë të Drenasit, gjashtë herë kampion të performancës, edhe një herë u vije oferta e lodhtë nga ata që nuk e presin.
Besnikët e Hashim Thaçi e Kadri Veselit, janë besnik të UÇK-së e PDK-së, por jo edhe të “Dadës Razë” e votimit symbyllur.
Qytetarët e Drenasit e dallojnë mirë veprën nga mashtrimi, e dallojnë kampionin nga bedeli, e dallojnë profilin origjinal nga imitimi. Ata, tashmë janë përcaktuar, me 101 arsye, “Për Drenasin Kampion”.
Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit të mos bien pre e përjashtimit publik, të mos ndjehen të fyer nga etiketat që ju vihen në media dhe mos e vlerësoni përçarjen, shpifjen apo dezinformimin, sepse, fitorën tonë nuk mund ta ndalë askush.
Ftoj liderët e partive ta lënë Drenasin dhe qytetarët në dimensionin e vet, ashtu siç janë, shihni e bëni propagandë në degët “e mëdha”, duke filluar nga kryeqendra dhe komunat që tashmë i keni ftuar qytetarët pa dallim të votojnë për kryetarët “e suksesshëm” gjë që duan t’i pengojnë qytetarët kampionë ta votojnë kryetarin kampion.
Nga lisi që e kanë përpara, disa nuk po e shohin malin!



