Kelmendi i reagon Hykmete Bajramit për librat shkollorë: Tash mjetet shkojnë te prindërit, jo te shtëpitë botuese

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka reaguar ndaj ish-ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, pasi kjo e fundit ka kritikuar mënyrën e re të blerjes së teksteve shkollore.

Kelmendi ka thënë se në pesë vitet e qeverisjes së mëparshme rreth 52 milionë euro janë derdhur drejtpërdrejt në llogaritë e tri shtëpive botuese, duke pretenduar se gjatë asaj periudhe ka pasur auditime dhe raportime për shkelje, abuzime dhe skema mashtrimi me librat e nxënësve.

banner

“Paska reaguar ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, duke thënë se mënyra e blerjes se teksteve shkollore ka qenë gjëja që ka funksionuar më së miri.

Në pesë vitet e tyre, afër 52 milionë euro kanë shkuar drejtpërdrejt në tri llogaritë e shtëpive botuese. Ka pasur auditime e raportime, ku janë konstatuar shkelje dhe abuzime, si dhe skema mashtrimi me librat e nxënësve. Janë transferuar shtëpi e banesa për të përfshirët.

Krejt këto, Hykmetja i di!”, ka shkruar Kelmendi.

Ai ka mbrojtur skemën aktuale të subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve, duke thënë se tash mjetet shkojnë drejtpërdrejt në llogaritë e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.

“Tash, sigurisht që ju pengon që mjetet shkojnë në llogaritë e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, tekstet mund të rishfrytëzohen pa u blerë të reja dhe nxënësit mbështeten edhe për shpenzime të tjera në fillim të vitit shkollor”, ka shkruar ai.

Kelmendi ka shtuar se, sipas tij, nuk do të ketë kompromis ndaj abuzimeve me buxhetin në emër të nxënësve.

“Abuzimi me buxhetin, në emër të nxënësve nuk kalon dhe për këtë nuk ka kompromis.

Përfituesit mund të kenë vetëm nostalgji dhe dro se një ditë Prokuroria e Shtetit mund të funksionojë si duhet”, ka përfunduar Kelmendi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.