
Ish-deputeti, Ilir Deda ka reaguar ndaj kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për ta votuar Bekim Sejdiun për president, duke thënë se, sipas tij, problemi i tyre nuk është Albin Kurti apo Lëvizja Vetëvendosje, por vetë Sejdiu.
Deda ka lidhur këtë qëndrim me periudhën kur Bekim Sejdiu ishte gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Tash po bëhet më e qartë se problemi i gjashtë deputetëve të LDK-së nuk është as Albin Kurti, as LVV por Bekim Sejdiu, sepse si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk e kishte mbivendosë interesin e LDK-së ndaj Kushtetutës”, ka shkruar Deda.
Ai ka thënë se Sejdiu nuk e rrëzoi Qeverinë Hoti, por se kjo ndodhi për shkak të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se Qeveria ishte zgjedhur me një votë të pavlefshme.
“Bekim Sejdiu nuk e rrëzoi Qeverinë Hoti, por rrëzoi fakti se ishte zgjedhur me një votë të pavlefshme. Këtë Kushtetuesja e konstatoi njëzëri”, ka shkruar ai.
Deda ka pyetur nëse mbrojtja e Kushtetutës nuk duhet të jetë pikërisht interesi kryesor i një presidenti, pavarësisht interesave partiake.
“A nuk është bash mbrojtja e Kushtetutës interesi kryesor që një president duhet t’a ketë, pa marr parasysh interesin partiak?”, ka pyetur ai.
Sipas Dedës, kundërshtimi ndaj Sejdiut nuk lidhet me opozitarizmin ndaj VV-së, por me pakënaqësi personale për vendime të mëparshme institucionale.
“Pra, në esencë sot po refuzohet votimi i një njeriu sepse ai e ka respektuar Kushtetutën atëherë kur respektimi i saj i kushtoi pushtetin partisë së tyre. Që do të thotë që nuk paska kundërshti ndaj qeverisjes por kundërshtim personal, për inate personale. Gjithsesi pa politikë”, ka shkruar Deda.
Në fund, ai ka thënë se kjo nuk është opozitarizëm ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“E kjo, miq, nuk është opozitarizëm ndaj LVV-së, por hakmarrje ndaj institucionalizmit që LDK pretendon se e përfaqëson dhe e kultivon”, ka përfunduar Deda.



