
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Artan Behrami, pas debatit rreth meritave për krijimin e bazës ligjore për gjykimet në mungesë për krime lufte.
Rrustemi ka thënë se është e vërtetë që në vitin 2018 janë vendosur për herë të parë bazat për hetimin dhe gjykimin në mungesë për krime lufte, por sipas tij këto ndryshime nuk kanë ardhur nga ministri i atëhershëm Abelard Tahiri.

“Është e vërtetë që në vitin 2018 janë vendosur për herë të parë bazat për hetim e gjykim në mungesë për krime lufte, por këto ndryshime nuk kanë ardhur si propozime nga ministri i asokohe Abelard Tahiri, por kanë qenë propozime të VETËVENDOSJES!, edhepse në opozitë”, ka shkruar Rrustemi.
Ai ka shtuar se në vitin 2021, kur Vetëvendosje ishte në qeverisje dhe ai kryetar i Komisionit për Legjislacion, janë bërë ndryshime të tjera për largimin e disa pengesave në këtë proces.
Rrustemi ka thënë se e mirëpret faktin që ekziston baza për hetimin dhe gjykimin në mungesë të krimeve të Serbisë, por ka theksuar se mes VV-së dhe PDK-së ekziston, sipas tij, një dallim substancial politik në trajtimin e kësaj çështjeje.
“Ju e shuat Institutin për krimet e luftës. Ne e themeluam atë me ligj. Ju deklaroheshit se edhe do t’i falnit krimet e Serbisë, ne e mbajmë përgjegjëse Serbinë deri në fund. Ju prisnit që Serbia t’i dorëzojë të pagjeturit, ne mundësuam gjetjen e trupave në veri të vendit”, ka shkruar Rrustemi.
Reagimi i tij vjen pas polemikave mes deputetëve të VV-së dhe PDK-së rreth asaj se kujt i takojnë meritat për ndryshimet ligjore që mundësuan gjykimin në mungesë për krime lufte.



