Vetëvendosje mbështet “Marshin për Liri”: Ata që votuan Specialen duhet t’i kërkojnë falje Kosovës dhe kombit shqiptar

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se mbështet “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa ka kërkuar që deputetët dhe subjektet që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale të distancohen nga ajo votë dhe të kërkojnë falje.

Sipas Vetëvendosjes, themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë “dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës”.

banner

“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”, thuhet në reagimin e VV-së.

Partia ka kritikuar faktin që, sipas saj, ndjekja penale u përqendrua te njëra palë e luftës, ndërsa Serbia dhe strukturat e saj shtetërore mbetën jashtë këtij procesi.

Vetëvendosje e ka cilësuar zanafillën e Gjykatës Speciale si “politike dhe antishqiptare”, duke përmendur nismat e vitit 2008 në Këshillin e Evropës dhe raportin e Dick Martyt.

“Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së”, thuhet në deklaratë.

VV-ja ka rikujtuar edhe argumentet që, sipas saj, u përdorën në kohën e votimit të Speciales, përfshirë paralajmërimet se çështja mund të kalonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë”, pretendon Vetëvendosje.

Partia ka kritikuar gjithashtu kohëzgjatjen e paraburgimit të të akuzuarve në Hagë dhe faktin që ata mbahen larg Kosovës dhe familjeve të tyre.

“Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi”, thuhet në reagim.

Në fund, Vetëvendosje ka kërkuar drejtpërdrejt kërkimfalje nga ata që votuan për Gjykatën Speciale.

“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se do t’i bashkohet marshit të 12 shtatorit.

“Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.