
Anita Muçaj-Haradinaj, bashkëshortja e Ramush Haradinajt, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke shprehur ngushëllime për familjen e saj dhe duke kërkuar sqarime lidhur me pretendimet se në kërcënimet ndaj viktimës ishte përdorur mbiemri “Haradinaj”.
“Si anëtare e familjes Haradinaj, bashkëndjej dhimbjen e madhe nga vrasja makabre dhe shokuese e një nëne dhe një gruaje që kërkonte mbrojtje shtetërore, të ndjerës Arlinda Zekaj”, ka shkruar ajo.
Muçaj-Haradinaj ka thënë se shpreson që personi përgjegjës për vrasjen ta marrë dënimin e merituar.
Ajo ka pretenduar se edhe më herët persona të ndryshëm e kanë keqpërdorur mbiemrin “Haradinaj” për të kërcënuar dhe frikësuar individë, si dhe për ta përdorur atë si mburojë për veprimet e tyre.
“Nuk është hera e parë që njerëz të ndryshëm, keqbërës të ndryshëm, kriminelë të ndryshëm, keqpërdorin emrin ‘Haradinaj’ për të frikësuar dhe kërcënuar individë e për ta përdorur këtë emër si mburojë për krimet e tyre”, ka deklaruar ajo.
Muçaj-Haradinaj i ka kërkuar avokates Adelina Hoxha që të bëjë të ditur publikisht dhe para organeve hetimore se cili person me mbiemrin Haradinaj pretendohet se është përmendur në kërcënime.
“Kërkoj nga avokatja Adelina Hoxha që konkretisht të deklarojë publikisht dhe pranë organeve hetimore se kush është me emër ai Haradinaj, në emër të të cilit apo të cilëve ka kërcënuar vrasësi i Arlinda Zekajt, e jo ta turbullojë ujin me një fjalë të tillë të ndjeshme, pasi mbiemrin Haradinaj e kam edhe unë, edhe fëmijët e mi, edhe qindra anëtarë të familjes Haradinaj”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, mbiemri Haradinaj përfaqëson sakrificën, dashurinë për atdheun dhe respektin ndaj shtetit e ligjit, “e jo strehë horrash e kriminelësh”.



