Çitaku godet Kurtin: Po sillet si monark, Kuvendi nuk është pronë private dhe Kushtetuta nuk është meny

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas votimit të Qeverisë Kurti 4, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po synon të suspendojë rregullat dhe normat kushtetuese e politike.

“Albin Kurti po synon me suspendu çdo rregull. Çdo normë. Jo vetëm kushtetuese e politike, por edhe morale e njerëzore”, ka shkruar Çitaku.

banner

Ajo e ka krahasuar Kurtin me një “monark të një kohe të kaluar”, duke kundërshtuar mënyrën se si është shpallur i konstituuar Kuvendi dhe është proceduar me zgjedhjen e Qeverisë.

“Vetë, si një monark i një kohe të kaluar, jashtë çdo rregulli, e shpall Kuvendin të konstituuar, e zgjedh Qeverinë, merr vendime. Ngre dorën e gishtat si një fëmijë i llastuar, pa asnjë fije përgjegjësie politike e kombëtare për situatën në të cilën e ka sjellë vendin”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka paralajmëruar se PDK-ja do të përdorë mjete politike dhe juridike për ta kundërshtuar këtë proces.

“Republika nuk funksionon sipas vullnetit të një njeriu. Kuvendi nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është meny prej së cilës zgjedh çka të pëlqen e çka jo.

PDK as nuk joshet, as nuk shantazhohet, e as nuk nënshtrohet.

Kemi me përdorë çdo mjet politik dhe juridik për me e rikthy demokracinë, ligjshmërinë dhe rendin kushtetues në vend”, ka shkruar Çitaku.

Ajo e ka përmbyllur reagimin duke thënë se askush nuk qëndron mbi institucionet dhe Kushtetutën.

“Sepse askush nuk është mbi Kushtetutën. Askush nuk është mbi Kuvendin. Askush nuk është mbi Republikën.”

Çitaku ka komentuar edhe votimin e Listës Serbe në Kuvend.

“E për përrallat pseudopatriotike me Listën Serbe, as që ia vlen me folë. Folën ata vetë. Me votë. Në Kuvend”, ka përfunduar ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.