Vdiq Flora Brovina

Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja Flora Brovina.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, e ka cilësuar grua të jashtëzakonshme Brovinën.

banner

“Na paska lënë Flora Brovina. Një grua e jashtëzakonshme. Trime, intelektuale, fisnike. Një grua që, edhe pasi kishte kaluar nëpër aq shumë vuajtje, rezatonte vetëm mirësi”, ka shkruar Çitaku në Facebook pas lajmit për vdekjen e Brovinës.

Ajo e ka kujtuar Brovinën si njeri të guximshëm e të pathyeshëm.

Kush ishte Flora Brovina? 

Brovina u lind në Skenderaj. Kreu shkollimin në Prishtinë, ndërsa studime për mjekësi në Beograd dhe Prishtinë. 

Specializimin në fushën e pediatrisë e kreu në Zagreb. 

Punoi si gazetare në të përditshmen “Rilindja”, ndërsa më pas iu kthye profesionit të mjekësisë. 

Në vitin 1992 themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare për të kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të gruas. 

Më 20 prill të vitit 1999 u rrëmbye në banesën e saj nga paramilitarët serbë dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi, ku më pas u dënua me 12 vjet burg. 

Pas presionit ndërkombëtar, u lirua dhe u kthye në Kosovë në vitin 2000. 

Që nga ajo kohë u angazhua në punë humanitare dhe në aktivitete politike. 

Botoi disa libra me poezi: “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Mat e çmat” (1995). Poezitë e saj janë përfshirë në antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë. 

Ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Partisë Demokratike dhe kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.