
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se, pavarësisht rritjes ekonomike dhe shtimit të eksporteve, deficiti tregtar vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë.
“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet ta pranojmë se deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportoi rreth një miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh”, deklaroi Kurti, raporton EO.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar në shtator të vitit 2026 arriti në 534 milionë euro, nga 520.5 milionë euro në të njëjtin muaj të vitit paraprak.
Kjo paraqet një rritje të deficitit tregtar prej 2.6 për qind krahasuar me shtatorin e vitit 2025.



