Kurti takon kongresistin Lawler, flasin për Specialen, NATO-n, investimet amerikane dhe Luginën e Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në New York është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

banner

Kurti ka thënë se e ka falënderuar Lawlerin për anëtarësimin në Kaukusin për Çështjet Shqiptare dhe për mbështetjen e tij ndaj integrimit të Kosovës në NATO.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë më i rëndësishëm. Miqësia dhe partneriteti me SHBA-të janë ndër shtyllat më të rëndësishme të shtetësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në teknologji, prodhim dhe energji.

banner

Pjesë e diskutimit ka qenë edhe Lugina e Preshevës. Kurti ka thënë se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë vazhdojnë të përballen me diskriminim institucional dhe me përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione.

Ai ka përmendur edhe çështjen e pasivizimit të adresave, duke thënë se kjo prek mijëra shqiptarë dhe ka pasoja në të drejtën e votës dhe pajisjen me dokumente identifikimi.

Në takim është diskutuar edhe aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës, ndërsa ka shtuar se pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile nuk janë vërtetuar.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka kritikuar edhe funksionimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se mbetet shqetësuese jotransparenca e saj dhe se dënimet janë të rënda.

Sipas tij, vendimi “lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.