Surroi propozon platformë konsensuale për Specialen: Synim përmbyllja e mandatit deri në fund të vitit 2028

Publicisti Veton Surroi ka prezantuar një “Skicë për Platformën konsensuale të Kosovës”, me dhjetë pika që synojnë krijimin e një qëndrimi të përbashkët shtetëror pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

banner

Sipas propozimit të tij, Kuvendi duhet të synojë bashkimin e partive parlamentare rreth një politike shtetërore për periudhën 2026–2028, ndërsa qëndrimet e përbashkëta të përmblidhen në një rezolutë dhe plan veprimi.

Surroi propozon që në themel të rezolutës të përcaktohet se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së, luftës së saj apo shtetit të Kosovës. Njëkohësisht, sipas tij, duhet të mbrohen të drejtat e të akuzuarve dhe të respektohet e drejta e viktimave për të vërtetën dhe drejtësinë.

Ai vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet dhe eventualisht të ndryshohet vetëm përmes mjeteve juridike, duke nisur nga Apeli.

banner

Një prej pikave kryesore të platformës është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë vitit 2027, mundësisht para përfundimit të procesit të Apelit.

Surroi propozon gjithashtu hapjen e një dialogu me Bashkimin Evropian për krijimin e një udhërrëfyesi për përmbylljen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Synimi politik do të jetë që ky proces të përfundojë deri në fund të vitit 2028, për aq sa këtë e lejojnë përfundimi i procedurave gjyqësore, detyrimet ndaj viktimave dhe kërkesat e rendit kushtetues”, ka shkruar Surroi.

Ai propozon që presidenti i Kosovës dhe përfaqësuesi përkatës i BE-së të mund të zhvillojnë edhe një këmbim të ri letrash për përcaktimin e hapave drejt përfundimit formal të mandatit, pa ndërhyrë në procedurat gjyqësore.

Një tjetër pikë parasheh që Kosova t’i kërkojë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rishqyrtimin e raportit të vitit 2011 dhe Rezolutës 1782, duke bërë dallimin mes pretendimeve të ngritura, çështjeve të hetuara, akuzave dhe fakteve të provuara në gjykim.

Surroi kërkon gjithashtu që BE-ja ta avancojë shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim dhe t’i japë statusin e vendit kandidat.

Në planin e brendshëm, ai propozon krijimin e një komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e zbatimit të planit 2026–2028, i cili do të bashkëdrejtohej nga përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së, pa ndërhyrë në procedurat gjyqësore apo strategjitë e mbrojtjes.

Surroi ka sqaruar se platforma e propozuar nuk synon zhbërjen e Gjykatës Speciale apo ndërhyrjen në aktgjykim.

“Platforma nuk synon zhbërjen e Dhomave të Specializuara, ndërhyrjen në aktgjykim apo mohimin e vuajtjeve të viktimave”, ka shkruar ai.

Sipas tij, synimi është shfrytëzimi i mjeteve juridike, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, parandalimi i fajësimit kolektiv të UÇK-së dhe Kosovës dhe, në fund, përmbyllja e rregullt dhe kushtetuese e mandatit të Dhomave të Specializuara.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.