
Nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka hapur një debat të ri politik mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

PDK-ja ka proceduar në Kuvend një projektligj përmes të cilit synon ndryshime në mënyrën e funksionimit dhe përcaktimit të mandatit të Dhomave të Specializuara, ndërsa VV-ja ende nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar nëse do ta mbështesë atë.
Përgjigjja e VV-së ka sjellë më pas edhe një ofertë politike nga PDK-ja: tërheqjen e lëndëve nga Gjykata Kushtetuese nëse partia në pushtet zotohet për mbështetjen e nismës.
Çfarë po kërkon PDK-ja?
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij ka proceduar nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas qëndrimit të prezantuar nga Hamza, PDK-ja synon që mandati i Speciales të lidhet me çështjet për të cilat ajo pretendon se ishte themeluar, duke iu referuar raportit të Dick Martyt.
Hamza ka thënë se në Hagë duhet të trajtohen akuzat që lidhen me pretendimet për trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa rastet që kanë të bëjnë me krime lufte, sipas propozimit të tij, duhet të barten për trajtim në Kosovë.
PDK-ja ka kërkuar gjithashtu monitorim ndërkombëtar të punës së Dhomave të Specializuara.
Nisma e PDK-së ka marrë mbështetje edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
VV nuk thotë ende nëse do ta votojë
Lëvizja Vetëvendosje, në përgjigjen e saj për nismën, nuk është deklaruar nëse do ta votojë apo jo projektligjin.
Partia ka thënë se fillimisht pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa që konteston këtë proces vazhdon të jetë në Gjykatë.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, thuhet në përgjigjen e VV-së.
Sa i përket vetë projektligjit, VV-ja ka paralajmëruar analizë juridike para marrjes së një qëndrimi.
“LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar partia.
VV-ja ka ngritur si çështje edhe ndikimin që ndryshimet eventuale mund të kenë mbi procedurat juridike të katër ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se secili prej tyre ka ekip të veçantë mbrojtës.
Sipas saj, në këtë fazë duhet “një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar”, e mbështetur në analizë juridike, në mënyrë që të mos krijohen pasoja të padëshiruara për procedurat e Apelit.
Çitaku: Tërheqim lëndët nga Kushtetuesja
Pas përgjigjes së VV-së, Vlora Çitaku ka dalë me një ofertë konkrete.
Ajo ka thënë se PDK-ja është e gatshme t’i tërheqë lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh të nesërmen, nëse VV-ja zotohet publikisht për votimin e projektligjit dhe mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes.
“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo më pas i është drejtuar përsëri VV-së, duke pretenduar se me këtë ofertë PDK-ja po ia heq argumentin për pritjen e vendimit të Kushtetueses.
“VV, kalkulime po bëni ju. Po thoni se nuk do të jepni mendim për ligjin për Gjykatën Speciale dhe për ndihmën financiare pa folur Gjykata Kushtetuese. Ne po jua heqim këtë kusht. Çfarë mendoni? Seriozisht”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, çështja duhet të tejkalojë interesat partiake.
“Kjo nuk është koha për taktizime. Koha është për veprim. Tash. Menjëherë. Jo për PDK-në, por për historinë. Për UÇK-në. Për çlirimtarët”, ka deklaruar ajo.
Bajqinovci: PDK-ja po kushtëzon
Në debat është përfshirë edhe deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, i cili e ka interpretuar ofertën e Çitakut si kushtëzim.
“Vlora Çitaku në anën tjetër menjëherë paska nisë me kushtëzim që nëse e japim votën për iniciativën e tyre e tërheqim lëndën”, ka shkruar Bajqinovci.
Sipas tij, PDK-ja do të duhej ta kishte tërhequr lëndën nga Kushtetuesja dhe të ishte kthyer në Kuvend pavarësisht debatit për Specialen.
“Për bindjen time, që më 17 shtator ajo lëndë do të duhej të ishte e tërhequr e vet kjo me partinë e saj do të duhej të ktheheshin në Kuvend e mos të bënin gjeste të tilla”, ka deklaruar ai.
Kështu, nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është lidhur tashmë edhe me përplasjen rreth konstituimit të Kuvendit. PDK-ja po kërkon një zotim të qartë të VV-së për projektligjin dhe ofron në këmbim tërheqjen e lëndëve nga Kushtetuesja, ndërsa VV-ja deri më tani ka kërkuar që propozimi dhe pasojat e tij të analizohen juridikisht para se të marrë një qëndrim përfundimtar.



