Kurti takohet me Erdoganin në New York, diskutojnë edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Albin Kurti është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

banner

Kurti ka thënë se e ka falënderuar Erdogan për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës, përfshirë diplomacinë, fuqizimin ushtarak, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas Kurtit, shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë kanë arritur në 1 miliard dollarë, ndërsa ai ka përmendur edhe bashkëpunimin me kompani turke për fabrikën e municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.

Në takim është diskutuar edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

banner

“Me Presidentin Erdogan diskutova edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka deklaruar Kurti.

Pjesë e diskutimit, sipas tij, ishte edhe pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në takim ishte edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Kurti ka thënë se është diskutuar për pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

“Simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet tona përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë”, ka thënë ai.

Në fund, Kurti ka bërë të ditur se e ka ftuar presidentin Erdogan për vizitë në Kosovë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.