Osmani takohet me presidentët e Sierra Leones dhe Palaus: Serbia pretendonte se kishin tërhequr njohjen e Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar fotografi nga takimet me presidentin e Sierra Leones dhe atë të Palaus, të zhvilluara gjatë qëndrimit të saj javën e kaluar në New York.

Osmani i ka ndërlidhur këto takime me pretendimet e mëhershme të Serbisë se të dyja shtetet kishin tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Me Presidentin e Sierra Leones dhe me Presidentin e Palaus, javën që shkoi në New York. Të dyja shtete për të cilat Serbia pretendonte se e kishin tërhequr njohjen e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Serbia kishte pretenduar në vitin 2019 se Palau e kishte tërhequr njohjen e Kosovës. Megjithatë, në vitin 2022, Osmani dhe ministri i Jashtëm i Palaus rikonfirmuan marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa në vitin 2023 ambasadori i Kosovës Sabri Kiçmari i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Palaus, Surangel Whipps Jr. 

Për Sierra Leonen, Serbia kishte njoftuar në mars të vitit 2020 se ky shtet kishte tërhequr njohjen. Por në prill 2025, presidenti i Sierra Leones, Julius Maada Bio, u takua me Osmanin, ndërsa komunikata e Presidencës së Sierra Leones iu referua Kosovës si “Republika e Kosovës” dhe foli për thellimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.