Hoti: Zgjedhim ‘zgjedhje të reja’ në vend të nënshtrimit politik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk duhet thirrur në emrin e një kandidati për president kur ai është tërhequr, duke iu referuar Bekim Sejdiut, shkruan KOHA.

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar sot në një konferencë për media se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president. Sejdiu u tërhoq nga kandidimi kur marrëveshja me LDK-në për emrin e tij, u shkel nga gjashtë deputetët e këtij subjekti.

Për këtë, Hoti është shprehur se dakordimi mes dy kryetarëve (Kurtit e Abdixhikut), nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit.

“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?! Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit. Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti i cili është në mesin e gjashtë deputetëve që refuzuan ta votojnë kandidatin Sejdiu, ka thënë se janë të gatshëm ta votojnë një kandidat nga LDK-ja për president, dhe se zgjedhin ‘zgjedhje të reja’ në vend të siç tha – nënshtrimit.

“Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim “zgjedhjet e reja” në vend të nënshtrimit politik”, ka thënë Hoti në reagimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.