
Duke e konsideruar simbol të protestave, platforma “Liria ka emër” ka bërë thirrje që qytetarët të tregojnë edhe më 1 tetor sivjet se nuk heqin dorë nga drejtësia.
Qe 15 ditë rresht qytetarë të shumtë kanë protestuar ndaj verdiktit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo gjykatë dënoi me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin për krime lufte.
Kjo platformë ka ftuar për protestë masive më 1 tetor (ora 16:00) në Prishtinë, duke e ndërlidhur me datën e protestave të mëdha të 1997-s, kur studentët protestuan kundër uzurpimit të hapësirave arsimore nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësues të kësaj platforme, kanë bërë thirrje për bashkim kundër padrejtësive.
Ismail Tasholli nga kjo platformë e ka cilësuar aktgjykimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se ai nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.
“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, ka thënë ai.
Sipas Tashollit, drejtësia duhet të vlejë për të gjithë, por nuk mund të jetë selektive dhe as të shkëputet nga e vërteta historike. Ai theksoi se reagimi qytetar ndaj aktgjykimit ka kaluar kufijtë e Kosovës, me protesta dhe mobilizim të shqiptarëve në Evropë dhe më gjerë.



