
Ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se mungesa e njoftimit zyrtar nga Rubio për takimin me Vjosa Osmanin është tregues i ftohjes së raporteve.
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar mbi takimin e presidentes Vjosa Osmani me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Tahiri ka vlerësuar se Kosova tashmë po i ndjen pasojat e pezullimit të Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se Rubio nuk e ka bërë njoftim zyrtar për këtë takim, ndryshe nga të gjitha takimet e tjera që ka zhvilluar në Nju Jork.
“Po ndjehen pasojat e pezullimit dialogut strategjik nga Amerika – Sekretari Marco Rubio ia zgjati dorën Osmanit por nuk bëri njoftim zyrtar – ndërkohë që bëri për të gjitha takimet që pati në Asamblenë e OKB-së. Në ditët në vijim, Kosova do t’i ndjejë edhe më dëmtuese këto pasoja”, shkroi Tahiri në profilin e saj në Facebook.
Ajo paralajmëroi se raportet me SHBA-në do të ndikojnë më tej në pozitën ndërkombëtare të Kosovës nëse nuk rifillon dialogu strategjik.



