
Kryeministri, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se konkludimet dhe dënimet e Speciales përmbajnë gabime faktike, juridike e historike, e që sipas tij, presin që të korrigjohen në Apel.
Ka deklaruar se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme.
“Kemi shqetësime për konkludimet e tjera dhe dënimet e rënda. Besojmë se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike dhe presim të korrigjohen në Apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme. Kosova kërkon drejtësi për çdo krim dhe për çdo kryerës. Nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë dhe fajësisë, pse dikush dëshiron të krijojë narrativa alternative”, ka deklarua Kurti.
Sipas tij, në këtë aktgjykim, janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht. Kurti ka theksuar se Shtëpia e Verdhë apo trafikimi i organeve s’bën pjesë në aktakuzë, akuza për krim kundër njerëzimit u rrëzua dhe theksuan qartë që UÇK-ja nuk është në gjyq dhe se vendimi nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e UÇK-së.



