
I biri i heroit Xhavit Haziri, Çlirimi, që është një prej organizatorëve të protestave ndaj Speciales, në fjalimin e tij në protestën kundër verdiktit dënues të Speciales ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i është drejtuar rinisë.
Tek ka theksuar se 1 tetori është zgjedhur si ditë për të protestuar për shkak se si datë simbolizon qëndresën kur studentët në të 90-at dolën për të protestuar për universitetin dhe të drejtën për të qenë të lirë në vendin e tyre.
Sot, sipas tij, po protestohet me të njëjtën arsye: “Që të mos heshtim”.
“Sot dua t’i drejtohem veçanërisht rinisë së Kosovës, brezit të pasluftës: ju nuk e keni parë luftën me sy, por jeni rritur me lirinë qe doli prej saj. Ju jeni brezi qe keni fitoren me të freskët… Ndoshta pikërisht për këtë, kjo rini nuk e ndjen përkuljen, frikën dhe heshtjen kur mendon që po i bëhet padrejtësi vendit të vet sepse ju nuk jeni rritur në robëri, por jeni rritur në liri. Si djali i një njeriu që dha jetën për këtë vend ju them: Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem sepse kur iu shoh të lirë e në këmbë, duke mos harruar se nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton tek ju”, ka thënë ai.
“Unë nuk e pata fatin për ta pyetur babain tim se çka bane babë kur u shkel dinjiteti i Kosovës, por ma tregoi gjaku i tij. Mungesa e tij por ma tregoi liria në të cilën u rrita. Sot ata janë në Hagë e sot drejtësia duhet të flasë me prova, ligj dhe standarde të drejta. Ndërkohë që ata po mbahen atje, një propagandë e heshtur po zvarritet si krimb në opinionin tonë”, ka shtuar Haziri.



