Robelli kritikon klimën e debatit për Ligjin e Speciales: Nuk lejohej mendimi racional

Publicisti Emver Robelli ka kritikuar atmosferën që, sipas tij, u krijua rreth debatit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ata që paralajmëronin se nisma nuk do të sillte efekt juridik do të përballeshin me fushatë linçimi.

“Imagjinoni sikur para dy javësh të dilte ndonjë gazetar i pavarur, ndonjë përfaqësues i denjë i shoqërisë civile apo një figurë publike e të thoshte hapur: ligji për ‘gjykatën speciale’ nuk do të sjellë bash asgjë, është shkruar dobët, synon vetëm manipulimin e masave, (keq)përdoret për efekte elektorale dhe rrezikon të mbetet në sirtar e të pluhuroset”, ka shkruar Robelli.

Sipas tij, personi që do ta thoshte këtë do të etiketohej si “armik i Kosovës” dhe “shërbëtor i Serbisë”, ndërsa do të përballej me sulme ndaj tij dhe familjes.

Robelli e krahasoi atë atmosferë me reagimet e tanishme, pasi komisionerja e BE-së për Zgjerim e cilësoi ligjin e miratuar në Kuvend si “të papranueshëm”. Ai rikujtoi edhe deklaratat e mëhershme të Bashkimit Evropian, i cili kishte shprehur “shqetësim të thellë” dhe kishte thënë se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Përveç ndonjë pëshpërime, çarshia politike e Prishtinës tani është e heshtur. Është e njëjta kasaba që para dy javësh ishte e zhurmshme, agresive e kërcënuese”, shkroi Robelli.

Ai tha se gjatë debatit nuk kishte hapësirë për mendim racional dhe kritikë të bazuar në fakte.

“Sepse nuk lejohej debati. Ose synohej pamundësimi i debatit”, theksoi ai.

Në fund, Robelli ngriti pyetjen nëse duhet nxjerrë mësim nga kjo përvojë, duke vlerësuar se problemet mbeten të pazgjidhura dhe se “strategjia nuk shihet në horizont”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.