SHBA-ja për Dialogun Strategjik: Presim përmbushjen e zotimeve të Kosovës në raport me serbët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me zhvillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën. Në një përgjigje dhënë KOHËS nga një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, është theksuar se dialogu do të rifillojë kurdo që krijohen kushtet. E një ndër to është përmendur edhe përmbushja e zotimeve nga ana e Kosovës në lidhje me serbët që jetojnë në Kosovë.

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar rikthimin e dialogut strategjik në takimet që kanë zhvilluar me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, gjatë vizitës së tyre dy ditë më parë në Kosovë.

Në përgjigje thuhet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta mes dyja vendeve.

“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e ndërmarra nga qeveria e atëhershme në detyrë. Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim që të zhvillojmë dialogun strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në lidhje me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen për KOHËN.

Në takimet me senatorët, presidentja Justina Shiroka-Pula dhe kryeministri Albin Kurti, kanë theksuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe kanë thënë se synimi parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

SHBA-ja e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator të vitit 2025. Ambasada amerikane në Prishtinë kishte thënë se ky vendim ishte marrë për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Sipas Ambasadës këto veprime kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë dhe kishin kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.