
MKT-ja thotë se përfshirja e kompleksit industrial në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme nuk lidhet me iniciativën e Komunës së Prishtinës. Ndërkohë, vendimi për dhënien e pronës në shfrytëzim për 50 vjet është vlerësuar i kundërligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit thotë se Kompleksi Industrial i Tulltores në Prishtinë ishte inventarizuar dhe regjistruar më herët në databazën e trashëgimisë kulturore si kompleks me potencial për mbrojtje. Sipas saj, përfshirja e tij në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme nuk lidhet me iniciativën e Komunës së Prishtinës.
“Kompleksi i Tulltores është inventarizuar kohë më parë dhe ka qenë i regjistruar në databazën e trashëgimisë kulturore si kompleks me potencial për mbrojtje, dhe përfshirja në mbrojtje të përkohshme nuk është e ndërlidhur me iniciativën e Komunës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KOHA.
Sipas MKT-së, propozimi për përfshirjen e kompleksit në listë është bërë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë. Ai është rekomanduar nga Komisioni Profesional Shkencor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe më pas nga Komisioni i Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, para se t’i përcillej ministres për miratim.
Në deklaratën e rëndësisë së monumentit, Ministria e përshkruan Tulltoren si dëshmi të zhvillimit të industrisë së materialeve ndërtimore dhe të zhvillimit ekonomik e urban të Prishtinës gjatë shekullit XX. Dokumenti përmend se materiali i prodhuar në kompleks është përdorur në ndërtimin e lagjeve Ulpiana, Dardania dhe Kodra e Diellit, si dhe të ndërtesave të tjera në kryeqytet.
“Kompleksi i sotëm përfaqëson një pjesë të zhvillimit historik të një hapësire industriale që dikur kishte shtrirje më të gjerë se ajo e ruajtur sot. Tulltorja e Prishtinës ka kaluar nëpër faza të ndryshme të ndërtimit, zgjerimit dhe veprimtarisë, të lidhura me zhvillimet ekonomike dhe urbane të qytetit. Një dëshmi e dokumentuar e fazës së zhvillimit të kompleksit është gurthemeli i datës 4 korrik 1973, i cili lidhet me fazën e fundit të zgjerimit dhe zhvillimit të veprimtarisë së Tulltores para komercializimit, veprimtari e cila vazhdoi deri në nëntor të vitit 2006, kur edhe u mbyll fabrika”, thuhet në deklaratë.
Dokumenti veçon edhe furrat e pjekjes, gjurmët e shinave për lëvizjen e vagonëve, strukturat prej tulle, betoni e çeliku, si dhe dy oxhaqet e ruajtura. Sipas Ministrisë, këto elemente kanë rëndësi historike, arkitekturore dhe teknologjike, ndërsa oxhaqet janë pjesë e siluetës urbane dhe kujtesës së peizazhit industrial të Prishtinës.
MKT-ja përmend edhe projektin “Art-Tek Tulltorja”, të miratuar nga Asambleja e Kryeqytetit më 11 shtator 2026, i cili parasheh krijimin e një qendre për art, kulturë, teknologji dhe inovacion në hapësirën e kompleksit. Sipas deklaratës, transformimi duhet të mbështetet në ruajtjen dhe interpretimin e vlerave të trashëgimisë industriale.
Komuna e Prishtinës ia ka dhënë në shfrytëzim kompleksin një kompanie private për 50 vjet. Projekti u prezantua si investim prej rreth 30 milionë eurosh, me synim shndërrimin e ish-fabrikës në hapësirë për teknologji, art, kulturë, biznese dhe shërbime.
Vendimi i Komunës është kundërshtuar nga asamblistët e Vetëvendosjes. Në fund të muajit të kaluar, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e vlerësoi dhënien në shfrytëzim të kompleksit si të kundërligjshme, duke thënë se vendimi nuk është në përputhje me rregulloren për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale.
Sipas vendimit të MAPL-së, negocimi mund të përdoret vetëm në rrethana dhe sektorë të përcaktuar në rregullore, ndërsa dhënia e pronës për një qendër ekonomike, kulturore dhe afariste nuk hyn në sektorët për të cilët parashihet kjo mundësi. Ministria ka vlerësuar po ashtu se lokacioni nuk figuron në listën e veçantë të pronave komunale për vitin 2026 dhe i ka kërkuar Kuvendit Komunal ta rishqyrtojë vendimin brenda 30 ditësh.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar në Facebook një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë për një rast tjetër, në të cilin gjykata i kishte dhënë të drejtë Komunës ndaj MAPL-së.
“Tash, njëjtë po e kundërshtojnë Tulltoren. Ta bëjmë një gjë të qartë: procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin. Ashtu si në rastin e Universitetit, do të dëshmohet edhe ligjshmëria e vendimit për Tulltoren. Ndërsa qëllimet tuaja do të demaskohen sërish para qytetarëve, se si e përdorni pushtetin për të bllokuar çdo zhvillim”, ka shkruar Rama.



