IPK rekomandon suspendimin e pesë policëve: Tre dyshohen për ngacmim seksual e kontroll të kundërligjshëm

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë, tre në Prishtinë dhe dy në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale.

Sipas njoftimit të IPK-së, tre zyrtarët në Prishtinë dyshohen për “Ngacmim seksual” dhe “Kontrollim të kundërligjshëm”. Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen “Lakërishte”.

Sipas pretendimeve të ankueses, ajo po drejtonte veturën kur u ndalua dhe u kontrollua nga policët. Më pas, ata i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.

Me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara. IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Ndërkaq, në Gjilan, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, të dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor, rreth orës 23:00, policët dyshohet se ndaluan një qytetar dhe e futën në veturën zyrtare. Gjatë kësaj kohe, pretendohet se e abuzuan verbalisht dhe ia cenuan privatësinë, përfshirë marrjen e telefonit pa urdhër të Prokurorisë së Shtetit.

Dyshimet fillestare sugjerojnë se rasti mund të ketë lidhje me një ankesë që qytetari kishte parashtruar në korrik ndaj zyrtarëve policorë, për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve.

IPK-ja ka thënë se do të vazhdojë hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga zyrtarët policorë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.