
Aleksandar Vuçiq ka qenë miku i fundit i besueshëm i Vladimir Putinit në Evropë, shkruan mediumi britanik “The Telegraph“, transmeton Gazeta Politika.
Por tani, pas më shumë se një dekade në pushtet, presidenti serb përballet me mundësinë që të rrëzohet nga një revoltë popullore, ndërsa vendi i tij përgatitet të votojë në zgjedhjet më të rëndësishme të një brezi.
Këto zgjedhje e vënë presidentin, dikur në dukje të pamposhtur, përballë një lëvizjeje të re studentore, e cila lindi nga zemërimi pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona në nëntor të vitit 2024.
Që nga viti 2000, kur u rrëzua Slobodan Millosheviqi, Serbia, një nga vendet me peshë kyçe në Ballkan, nuk ka përjetuar zgjedhje me pasoja kaq të rëndësishme, transmeton Gazeta Politika.
Nëse Vuçiqi humbet të dielën, pasojat gjeopolitike do të jenë të thella, jo vetëm për rajonin, por edhe për Rusinë. Nëse mbështetësit e tij vendosin ta shprehin zemërimin dhe zhgënjimin e tyre, nuk përjashtohet as shpërthimi i dhunës në rrugë.
Moska i druhet përsëritjes së asaj që ndodhi në prill në Hungari, kur aleati i saj i kahershëm, Viktor Orban, u rrëzua nga pushteti pas 16 vjetësh në krye të një regjimi prorus, gjithnjë e më autoritar.
Nën qeverinë e re hungareze, diplomatët rusë janë dëbuar për arsye të sigurisë kombëtare, ndërsa ka nisur një proces i ashtuquajtur i “deorbanizimit”.
Humbja e Vuçiqit, pas 12 vjetësh në pushtet, fillimisht si kryeministër e më pas si president, do të përbënte një tjetër goditje për regjimin e Putinit.
Serbia është një vend i rëndësishëm për Rusinë. Dy vendet kanë lidhje të rrënjosura thellë kulturore dhe fetare, ndërsa Moska ushtron ndikim të konsiderueshëm përmes fuqisë së saj të butë, veçanërisht nëpërmjet RT Balkan, degë e transmetuesit Russia Today, si dhe përmes Shtëpisë Ruse, një institucion kulturor.
“Kur Serbia u përball me zjarre gjatë kësaj vere, për shembull, Vuçiqi iu drejtua fillimisht Rusisë dhe vetëm më pas kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian.
Gjithçka do të ndryshonte rrënjësisht nëse Vuçiqi humbet. Rusisë do t’i mbetej vetëm Republika Sërpska [entiteti i vogël me shumicë serbe në Bosnjë e Hercegovinë] si pika kryesore e mbështetjes së saj në Ballkan. Por kjo do t’i siguronte vetëm një pjesë shumë të vogël të ndikimit që ajo gëzon aktualisht përmes Serbisë”.
Dr. Helena Ivanov, eksperte për Serbinë dhe Ballkanin në institutin kërkimor Henry Jackson Society, shtoi:
“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që nga viti 2000 dhe, pa dyshim, sfida më e madhe me të cilën është përballur Vuçiqi që kur erdhi në pushtet”.
Moska po bën gjithçka që mundet për ta mbështetur Vuçiqin dhe për t’ia siguruar fitoren në zgjedhje.
Ajo ka përdorur dy taktika kryesore: përhapjen e dezinformatave dhe nxitjen e frikës për pasojat e një humbjeje të Vuçiqit, si dhe shfrytëzimin e ndikimit që i siguron furnizimi i Beogradit me energji të lirë, transmeton Gazeta Politika.
Rusia së fundmi ka rinovuar kontratën për furnizimin e Serbisë me gaz natyror, me një çmim sa një e treta e atij që ofrohet në tregun e lirë, por kontrata është zgjatur vetëm deri në fund të vitit.
“Mesazhi është: ‘Po presim të shohim se si do të votoni’”, tha Cenusa, analist strategjik në Qendrën për Studime të Sigurisë Gjeopolitike në Lituani.
“Rusia ia shet gazin Serbisë me 318 euro për një mijë metra kub, krahasuar me çmimin prej 1.000 eurosh për një mijë metra kub në tregun evropian”.
Për qytetarët e zakonshëm serbë, të cilët, ashtu si shumica e evropianëve, po përballen me rritjen e kostos së jetesës, nuk është e nevojshme të jenë mbështetës të flaktë të Rusisë apo të Vuçiqit për t’i vlerësuar përfitimet nga kjo marrëveshje.
Vuçiqi, i cili nuk mund të kandidojë më për një mandat tjetër presidencial, por synon të zgjidhet kryeministër, do të përballet me të ashtuquajturën Lista Studentore, një lëvizje protestuese pa strukturë të ngurtë organizative, e cila lindi pas tragjedisë së vitit 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Lista Studentore ka 250 kandidatë në këto zgjedhje. Mes tyre ka mësimdhënës, profesorë universitetesh, fermerë, artistë, një kardiolog dhe një reper.
Moska e ka paraqitur Listën Studentore si një instrument të Perëndimit, duke e krahasuar me “revolucionet me ngjyra” që rrëzuan regjime të ndryshme autoritare në të kaluarën, nga Revolucioni i Trëndafilave në Gjeorgji më 2003, te Revolucioni Portokalli në Ukrainë më 2004–2005 dhe Revolucioni i Tulipanëve në Kirgistan më 2005.
Në qershor, Sergei Shoigu, sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, e krahasoi lëvizjen rinore në Serbi me Revolucionin e Maidanit të vitit 2014 në Ukrainë, i cili çoi në rrëzimin e presidentit të atëhershëm prorus.
Një vit më parë, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë e kishte akuzuar Bashkimin Evropian se po financonte organizata joqeveritare dhe media në Beograd, me synimin për të nxitur një “Maidan serb”.
“Moska e shtyn përpara narrativën se pas të gjitha këtyre lëvizjeve, përfshirë edhe atë në Serbi, qëndron ndërhyrja perëndimore”, tha Cenusa, fusha e ekspertizës së të cilit përfshin luftën hibride dhe ndikimin rus në Evropë dhe Kaukaz.
“Ata kanë pretenduar, për shembull, se Lista Studentore ka marrë financime nga Perëndimi, veçanërisht nga Gjermania”.
Rusët janë përpjekur gjithashtu t’ua rikujtojnë serbëve solidaritetin që kanë treguar ndaj tyre në të kaluarën, përfshirë dënimin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, si dhe mbështetjen për pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës.
Një problem për Moskën, por edhe për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë kryesorë të Serbisë, është se askush nuk e di se si do të ndryshonin marrëdhëniet e jashtme të vendit nëse Lista Studentore do t’i fitonte zgjedhjet.
Fushata zgjedhore është përqendruar pothuajse tërësisht në çështjet e brendshme. Lista Studentore është zotuar të luftojë korrupsionin, të rikthejë lirinë e shtypit dhe ta kthejë Serbinë në një demokraci plotësisht funksionale.
Kompania konsulente për rreziqe politike, Teneo, në një analizë të publikuar këtë javë, vlerësoi:
“Një qeveri e udhëhequr nga studentët do të ndërmerrte reforma të gjera për të luftuar korrupsionin, për të ristrukturuar institucionet dhe ndërmarrjet kryesore publike, si dhe për të çmontuar rrjetet e klientelizmit.
Megjithatë, rezistenca e fortë brenda burokracisë mund të shkaktojë paqëndrueshmëri institucionale në periudhën afatshkurtër”.
Moska mund të gjejë njëfarë ngushëllimi te një prej qëndrimeve të pakta të politikës së jashtme që Lista Studentore i ka bërë të qarta: kundërshtimi i vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ekziston pasiguri e madhe se kush do t’i fitojë zgjedhjet e së dielës. Sondazhet në Serbi nuk konsiderohen plotësisht të paanshme apo të besueshme, por ato tregojnë se lëvizja studentore ka një epërsi shumë të ngushtë ndaj Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit.
“Jam e sigurt se do të fitojmë dhe jam e bindur se të hënën do të zgjohemi në një Serbi të lirë”, tha aktivistja studentore Masa Perepeliuc, 21-vjeçare, studente e shkencave politike në Beograd, transmeton Gazeta Politika.
Për vëzhguesit e jashtëm, akuzat për korrupsion dhe shtypje politike gjatë sundimit të Vuçiqit mund të duken si arsye të mjaftueshme për rrëzimin e liderit të fuqishëm ballkanik.
Por, pas 12 vjetësh në pushtet, Vuçiqi është shndërruar në një politikan jashtëzakonisht të sprovuar dhe të aftë në manovrimin politik.
Do të ishte naive të konsiderohej i mposhtur para kohe. Madje, edhe nëse humbet, ai mund të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Ekspertja për Serbinë, dr. Ivanov, shtoi:
“Për herë të parë në 14 vjet [aq sa Partia Progresive Serbe ka qenë në pushtet], kur njerëzit më pyesin se kush do t’i fitojë zgjedhjet, sinqerisht nuk mund t’u jap një përgjigje”.
Përkthyer nga Gazeta Politika.



