Ministria për Mjedis gjobit Komunën e Prishtinës për keqmenaxhimin e mbeturinave

Ministrja për Mjedis, Fitore Pacolli, ka thënë se Komuna e Prishtinës i prin keqmenaxhimit të mbeturinave në nivel vendi.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Pacolli ka folur për “hapat emergjentë dhe strategjikë” që po bëjnë institucionet për gjendjen e rëndë me mbeturinat.

“Një pjesë e komunave bën punë të mirë me mbledhjen e mbeturinave e një pjesë tjetër dështon ta kryejë detyrën që u takon me ligj. Fatkeqësisht prin Komuna e Prishtinës që ka numrin më të madh të banorëve. Por përveç se i mungon vullneti për t’i kryer obligimet po keqmenaxhojnë me ndërmarrjen komunale”, ka thënë ajo.

Në këtë situatë, sipas Pacollit, Qeveria “nuk mund të rrijë duarkryq”. Ajo ka thënë se janë ndërmarrë dhjetëra inspektime për të parë keqmenaxhimet, teksa ka shtuar se janë gjobitur Komuna e Prishtinës, ajo e Istogut, por edhe kompanitë e menaxhimit të mbeturinave në disa zona.

Sa i përket deponive ilegale të mbeturinave, Pacolli ka thënë se po përgatitet integrimi i të gjithave në një ndërmarrje publike për menaxhim të mbeturinave. Ka shtuar se për Prishtinën është caktuar një lokacion i ri në vend të Mirashit të cilin e ka cilësuar afër “katastrofës”. Ka thënë po ashtu se lokacioni është përcaktuar edhe për veriun. Të dyja me financime nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian.
Sa i përket ligjit të ri për menaxhim të integruar të mbeturinave, Pacolli ka thënë se aty parashihet kthimi i depozitës për kthimin e shisheve të plastikës dhe të qelqit.

E ky ligj, sipas saj, ia jep Ministrisë hapësirën për të intervenuar direkt dhe emergjent në pezullimin e përkohshëm të kompetencave komunale kur dështojnë t’i menaxhojnë mbeturinat “si në rastin e Prishtinës”.

Pacolli ka thënë po ashtu se në dikasterin e saj nuk pritet të ketë humbje nga buxheti i Planit të Rritjes i Bashkimit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.