
Gazetari Mirlind Behluli ka reaguar pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Behluli ka theksuar se dy drejtuesit e fundit të Policisë kanë dhënë dorëheqje pas rasteve të dhunës ndaj grave, duke e krahasuar këtë me periudhat kur, sipas tij, nuk kishte dorëheqje apo llogaridhënie as pas vrasjeve të zyrtarëve të zgjedhur.
“Gazmend Hoxha dha dorëheqje. Dy drejtorët e fundit të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje pas rasteve të dhunës ndaj grave. Dikur, jo vetëm për vrasjen e grave, por as për vrasjen e deputetëve të zgjedhur nuk ka dhënë askush dorëheqje. As llogari, as përgjegjësi”, ka shkruar Behluli.
Ai ka kritikuar ashpër edhe disa media dhe analistë, të cilët, sipas tij, moralizojnë për këto raste, ndërkohë që në debate ftojnë persona të dyshuar për dhunë ndaj grave dhe vepra të tjera penale.
“More, ju çdo natë i mbushni debatet me njerëz të dyshuar për dhunë ndaj grave dhe për vepra të tjera penale. Veç mbylleni gojën! Është më mirë edhe për ju, edhe për ne që të mos na shurdhoni me moralizime”, ka shkruar Behluli.



