
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë paraqitur të premten gjetjet e raporteve institucionale për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, duke evidentuar shkelje dhe mosveprime serioze në polici, prokurori, gjykatë dhe institucione të tjera.
Gërvalla ka deklaruar se nga dokumentacioni i shqyrtuar krijohet bindja se vrasja e Arlindës “me shumë gjasë mund të ishte parandaluar”. Megjithatë, ajo ka thënë se raporti është vetëm pjesërisht i plotë, pasi disa institucione nuk kanë kthyer përgjigje.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca të ndërhyjë në punën e gjykatave dhe prokurorive, të kërkojë llogari të drejtpërdrejtë nga gjyqtarët dhe prokurorët për vendimmarrjen e tyre apo të zhvillojë hetime ndaj tyre. Po ashtu, ministri nuk ka kompetenca hetimore mbi veprimet e policisë. Këto kufizime burojnë nga ndarja e pushteteve”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun ndaj jetës së Arlindës.
“Më 10 korrik Arlinda raportoi në polici dhunën fizike dhe psikike nga bashkëshorti. Raportoi kërcënimet, dorëzoi provat dhe informoi policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje. Më 7 shtator kërkoi urdhërmbrojtje urgjente dhe i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe fëmijës së saj”, ka thënë Gërvalla.
Sipas raportit, Gjykata Themelore në Pejë e kishte nxjerrë aktvendimin për urdhërmbrojtje më 16 tetor, mbi një muaj jashtë afateve ligjore. Arlinda i ishte drejtuar kryetarit të Gjykatës më 17 shtator, duke paralajmëruar për vonesat dhe rrezikun ndaj jetës, por përgjigjen e kishte marrë vetëm më 20 tetor.
Po atë ditë, ajo i kishte shkruar përsëri kryetarit të Gjykatës, duke shprehur zhgënjimin dhe frikën se do të vritej. Pesë ditë më vonë, Arlinda u vra.
Raporti evidenton edhe se vendimet gjyqësore për kthimin e saj në shtëpi nuk ishin zbatuar. Qendra për Punë Sociale e kishte njoftuar gjyqtarin Migjen Kastrati për moszbatimin e urdhrit mbrojtës, por, sipas Gërvallës, nuk rezulton se ishin ndërmarrë veprime të mëtejshme.
Për Prokurorinë Themelore në Pejë, raporti ka evidentuar probleme serioze. Prokurorët dhe kryeprokurorja Lumturije Vuqetaj, sipas Gërvallës, ishin informuar vazhdimisht për kërcënimet ndaj Arlindës.
“Më 23 tetor edhe kryeprokurorja ishte informuar me shkrim se Arlinda Zekaj kishte raportuar një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj. Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje dhe kishte kërkuar nga personat e dyshuar pamjet e kamerave. Nuk kemi dokumentacion që tregon nëse këto pamje janë dorëzuar. Dy ditë më vonë, Albert Sylaj dyshohet se vrau Arlinda Zekajn”, ka deklaruar Gërvalla.
Dy prokuroret e përfshira në trajtimin e rastit janë suspenduar.
Raporti ka evidentuar mangësi edhe në veprimet e Qendrës për Punë Sociale. Sipas Gërvallës, QPS-ja nuk e kishte dorëzuar me kohë raportin e kërkuar dhe përfaqësuesi i saj kishte munguar në seancën gjyqësore të 5 tetorit.
Për Komunën e Pejës, Gërvalla ka thënë se Ministria ka marrë vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, pa informacione për masat konkrete të ndërmarra ose për planet e mëtejshme.
Ministrja ka kërkuar gjithashtu të shqyrtohet nëse mosveprimet ishin vetëm pasojë e neglizhencës apo edhe e ndikimeve të jashtme.
“Raporti nuk përmban prova për një ndikim të tillë, por përmasat dhe përsëritja e mosveprimeve e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie”, ka deklaruar ajo, duke përmendur ndikime të mundshme nga qarqe politike ose kriminale.
E pyetur për dorëheqjen, Gërvalla ka thënë se tani nuk është momenti për një veprim të tillë.
“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi që do të kontribuonte për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje. Mendoj që është e kundërta”, ka thënë ajo.
Edhe ministri Sveçla ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se ajo nuk do të kontribuonte në fuqizimin dhe mbrojtjen e grave.
“Nuk mendoj që dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në mbrojtjen e të drejtave të saj, sepse ne jemi të angazhuar 100 për qind në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë. T’ju them të drejtën, unë jam bashkë me protestuesit në këtë pikë, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se raporti i Inspektoratit Policor ka konfirmuar dyshimet për mosmenaxhim të duhur të rastit nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, ndër shkeljet më serioze janë mosekzekutimi i urdhrit të parë mbrojtës, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë, mospërfillja e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për mbrojtjen e Arlindës.
“Asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë. Asnjë uniformë, asnjë gradë dhe asnjë pozitë komanduese nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka bërë të ditur se janë identifikuar edhe 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar individualisht për veprimet e ndërmarra.



