Historike në SHBA: Abdul El-Sayed bëhet myslimani i parë i zgjedhur në Senat

Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar garën për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke mposhtur ish-kongresistin republikan Mike Rogers.

Fitorja e tij është shpallur nga Associated Press dhe konsiderohet e rëndësishme për përpjekjet e demokratëve për ta rimarrë shumicën në Senat. El-Sayed do të jetë myslimani i parë amerikan që shërben në këtë institucion. 

Demokrati Abdul El-Sayed ka reaguar pasi fitoi zgjedhjet për Senatin amerikan në Michigan.

“Është nder dhe privilegj për mua që po shkoj në Senatin amerikan për t’i shërbyer shtetit të madh të Michiganit”, ka deklaruar El-Sayed.

Ai e ka cilësuar fitoren rezultat të angazhimit të përbashkët me qytetarët dhe ka paralajmëruar fillimin e punës për realizimin e zotimeve të tij.

“Michigan, ne bëmë atë që na thanë se nuk mund të bëhej. Fituam. Së bashku. Tani fillon puna e vërtetë”, ka shkruar ai

Gara në Michigan ishte ndër më të ndjekurat në Shtetet e Bashkuara dhe shihej si një test për mbështetjen që mund të fitojë një kandidat progresist dhe kundërshtar i establishmentit në një shtet vendimtar elektoral.

El-Sayed, 42-vjeçar dhe ish-zyrtar i shëndetit publik, e ndërtoi fushatën mbi pakënaqësitë për koston e jetesës dhe korrupsionin. Ai premtoi sistem shëndetësor publik për të gjithë dhe kufizimin e ndikimit të korporatave në politikë.

Fushata e tij mobilizoi veçanërisht të rinjtë dhe qytetarët që zakonisht nuk marrin pjesë rregullisht në zgjedhje. Ndonëse nuk identifikohet si socialist demokratik, El-Sayed gëzoi mbështetjen e figurave të njohura të së majtës amerikane, përfshirë Bernie Sandersin dhe Alexandria Ocasio-Cortezin.

Kundërshtari i tij, Mike Rogers, kishte garuar për Senat edhe më 2024, por ishte mposhtur edhe atëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.